Search
Close this search box.

Si mund ta bëni martesën tuaj më të fortë?

Përditësimi i fundit më 6 Shkurt, 2024

Aq sa filmat dhe Hollivudi do të donin që ju të mendoni ndryshe, por nuk ka gjë të tillë si një martesë e përsosur. Çdo çift ka problemet e veta. Në fakt, nuk njoh një çift të vetëm të martuar që të mos jetë grindur më parë. Për fat të keq, shumë çifte zgjedhin të heqin dorë nga grindjet dhe të injorojnë problemet e tyre, dhe në këtë mënyrë ato agravohen. Kjo dobëson jashtëzakonisht marrëdhënien dhe shkakton shumë dëme emocionale. Kjo është arsyeja se pse ne shohim kaq shumë çifte sot që bëjnë kërkesë për divorc ose zgjedhin të mos martohen fare. Si të krishterë, ne duhet të kuptojmë se sa e rëndësishme dhe e shenjtë është martesa. Ne mund të mos kemi kurrë “martesën e përsosur”, por të gjithë mund të bëjmë disa gjëra për t’i bërë martesat tona më të forta për lavdinë e Perëndisë.

Lutuni dhe lexoni së bashku
Kjo ndoshta duket si e zakonshme, por nuk mund ta përshkruaj se sa e rëndësishme është lutja dhe leximi i Biblës së bashku në një martesë të krishterë. Këto dy gjëra ndikojnë plotësisht në shëndetin e përgjithshëm të martesës suaj. Nëse nuk luteni rregullisht për bashkëshortin/en tuaj, si dhe nuk jeni duke i inkurajuar dhe kujtuar njëri-tjetrit Fjalën e Perëndisë, duhet të filloni që sot. Është e rëndësishme që një çift të rritet shpirtërisht së bashku, sepse Bibla thotë: “të dy do të bëhen një mish i vetëm” (Zanafilla 2:24; Efesianëve 5:31). Nëse zgjedh të neglizhoj lutjen dhe leximin e Fjalës së Perëndisë, në thelb jam duke neglizhuar dhe duke mos qenë i dashur ndaj gruas sime/ bashkëshortit tim. Bibla është e qartë se sa më shumë ta duam dhe të ndjekim Perëndinë, aq më të forta do të bëhen martesat tona.

Vendosini nevojat e bashkëshortit/bashkëshortes suaj para nevojave tuaja
Nuk e di për ju, por ndonjëherë mund të jem shumë egoist. Jo vetëm kaq, por ndonjëherë ankohem se pse më duhet të ngrihem nga divani për të bërë diçka për gruan time. Kjo është shumë e gabuar, dhe nuk duhet të jetë kështu! Efesianëve 5:25-28 thotë se:
“Burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të, që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës, që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të tillë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme. Kështu burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten”. Perëndia na ka urdhëruar ne si burra që t’i duam gratë tona me një dashuri pasionante, sakrifikuese, pa kushte, domethënë me dashurinë e Krishtit. Dhe Ai i ka urdhëruar gratë t’i nënshtrohen burrave të tyre ashtu siç i nënshtrohet Kisha Krishtit, kreut të saj (Efesianëve 5:22-24). Me fjalë të tjera, egoizmi dhe krenaria nuk kanë vend në një martesë të krishterë. Nëse Bibla thotë që “të mos bëni asgjë nga ambicie egoiste apo mendjemadhësia, por me përulësi i konsideroni të tjerët më të rëndësishëm se ju (Filipianëve 2:3),” a nuk duhet të përfshijë kjo edhe bashkëshortët tanë?

Jini plotësisht të ndershëm
Nuk ka nevojë të thuhet shumë këtu përveç “një martesë e shëndetshme është një martesë e ndershme”. Një nga arsyet kryesore që çiftet divorcohen është për shkak të sekreteve dhe gënjeshtrave. Jezusi tha te Gjoni 8:32 se “e vërteta do t’ju çlirojë”. Martesa juaj duhet të jetë një martesë që lavdëron Perëndinë dhe që ndërtohet mbi themelin e fortë të Krishtit, i cili është e Vërteta (Gjoni 14:6). A i thoni bashkëshortit/es tuaj të gjithë të vërtetën? A ka diçka që po fsheh apo duhet ta rrëfesh?

Zhvilloni intimitet me njëri-tjetrin
Kur shumë njerëz mendojnë për fjalën intimitet, ata zakonisht mendojnë fillimisht për seksin ose dashurinë fizike. Ndërsa seksi është një mënyrë se si çiftet e krishtera zhvillojnë intimitetin, por nuk është e vetmja mënyrë. Megjithatë, duhet thënë se çiftet e forta, të perëndishme jo vetëm që bëjnë seks, por ata e shijojnë vërtet seksin pasi është një dhuratë nga Perëndia. Seksi është i shenjtë dhe duhet të mbrohet si i tillë nga burri dhe gruaja; Hebrenjve 13:4 thotë: “Martesa le të jetë e nderuar nga të gjithë dhe shtrati martesor le të jetë i pandotur, sepse Perëndia do të gjykojë kurvëruesin dhe kurorëshkelësin”.
Siç u tha më lart, seksi nuk është mënyra e vetme për të pasur intimitet. Çdo burrë dhe grua duhet të mendojnë për mënyra të tjera përveç seksit për të zhvilluar intimitetin. Qoftë duke kaluar kohë cilësore së bashku, duke planifikuar një udhëtim, duke bërë dhurata ose thjesht duke shprehur se sa shumë e do, pra, mund të bëhen shumë gjëra për t’u afruar me shumë me njëri- tjetrin çdo ditë. Në fund të fundit, kjo është ajo që lidhet me intimitetin bashkëshortor; ka të bëjë me kalimin e kohës me personin tjetër për të njohur dhe vlerësuar plotësisht njëri-tjetrin me dashuri, veçanërisht me dashurinë e Krishtit.

Si përfundim
Nëse dëshironi të shihni marrëdhënien tuaj bashkëshortore të forcohet, atëherë ndërmerrni hapa sot për ta parë këtë të ndodhë. Por më lejoni të jem i qartë, asgjë në martesën tuaj nuk do të ndryshojë pa ndihmën e Frymës së Shenjtë. Në fuqinë tonë, ne nuk mund të zbatojmë ndryshimin ose rritjen që dëshirojmë aq shumë. Por Zoti mundet dhe do! Pra, merrni pak kohë të luteni së bashku dhe t’i kërkoni Perëndisë t’ju ndryshojë të dyve në brendësinë tuaj. Vëllezër dhe motra, nëse kur i përkushtohemi Atij, Ai do të “bëjë shumë më tepër se gjithçka që kërkojmë ose mendojmë, sipas fuqisë që vepron brenda nesh (Efesianëve 3:20).

Share post