Search
Close this search box.

Si duhet të filloj të lexoj Biblën?

Përditësimi i fundit më 8 Mars, 2024

Leximi i Biblës mund të jetë edhe emocionues edhe i vështirë. Është e rëndësishme të kuptohet se Bibla është si një bibliotekë e vogël – ka 66 libra në të, të shkruar nga njerëz të ndryshëm në kohë të ndryshme me qëllime të ndryshme. Ne rrëfejmë se Perëndia na flet përmes të gjithë librave në Bibël. Por disa janë më të vështira për t’u kuptuar dhe disa janë më të lidhura drejtpërdrejt me ne, duke i folur jetës sonë.

Ndoshta këshilla më e rëndësishme që mund t’ju jap për këtë temë është: kur lexoni Biblën, lexoni ngadalë, lexoni me lutje dhe lexoni duke pritur që Perëndia do t’ju flasë nëpërmjet saj.

Një vend i mirë për të filluar leximin e Biblës është në fillim. Në librin e Zanafillës do të lexoni se si Perëndia e krijoi botën, si erdhi mëkati në botë dhe se si Perëndia filloi të krijonte një popull për ta nderuar atë. Pas kësaj, shkoni në Dhiatën e Re dhe lexoni një ose dy nga Ungjijtë që tregojnë për jetën e Jezusit. Marku është Ungjilli më i shkurtër dhe do t’ju japë një përmbledhje të shpejtë. Gjoni tregon qartë se Jezusi është Biri i përjetshëm i Perëndisë.

Duke u kthyer te Dhiata e Vjetër, mund të lexoni disa ose të gjitha Psalmet. Psalmet janë një koleksion këngësh për të lavdëruar Zotin. Do t’ju ndihmojë të përqendroheni te fakti se kush është Perëndia. Është gjithashtu një libër i mrekullueshëm sepse në të do të hasni të gjitha emocionet njerëzore. Sido që të ndiheni në një moment të caktuar, do të ketë një psalm për ta shprehur atë ndjenjë dhe për ta çuar te Perëndia. Në Dhiatën e Re, lexoni përsëri disa nga letrat e Palit. Tek Romakët ju keni një pasqyrë shumë të qartë të planit të shpëtimit të Perëndisë. Filipianët ju mësojnë se si ta gjeni gëzimin tuaj te Perëndia dhe t’i shërbeni atij me gëzim.

Pas kësaj, mund të dëshironi të filloni leximin e Biblës nga fillimi deri në fund. Mos u shqetësoni nëse nuk kuptoni gjithçka, sepse askush smundet t’a kuptojë të gjithë Biblën. Kjo është arsyeja pse mijëra vjet pasi është shkruar, ne ende po mësojmë prej saj. Në Dhiatën e Vjetër mund të ketë histori shumë të gjata që janë të vështira për t’u kuptuar apo edhe të mërzitshme. Megjithatë, përpiquni të mos i kaloni ato. Ne mësojmë shumë për karakterin e Perëndisë, për të jetuarit në këtë botë dhe për nevojën tonë për një Shpëtimtar nga Dhiata e Vjetër. Për t’u siguruar që jeni duke u ushqyer frymërisht çdo ditë, mund të jetë mirë të lexoni çdo ditë diçka si nga Dhiata e Vjetër, ashtu edhe nga Dhiata e Re.

Së fundi, ne nuk jemi vetë të krishterë, pra, leximi i Biblës nuk është diçka që është thjesht personale. Sigurohuni që të shkoni në një kishë ku dëgjoni të shpallet Fjalën e Perëndisë. Kishat e mira do të kenë gjithashtu grupe shtëpish ku mund të lexoni Biblën me besimtarë të tjerë dhe së bashku të mësoni më shumë nga Fjala e Perëndisë.

Share post